
Sekretari organizativ i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, ka thënë se kryetarët aktualë të komunave veriore nuk do të duhej të qëndronin deri në fund të mandatit.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Nushi ka thënë se nuk është sinjal i mirë që të tentohet udhëheqja me 2 për qind të votave.
“Kryetarët në këto komuna nuk do të jenë të përhershëm, e as deri në fund të mandatit nuk do të duhej të ishin, pasi nuk është sinjal i mirë i yni, pavarësisht se çfarë bëjnë serbët. Nuk është sinjal i mirë të tentojmë të udhëheqim me 2% as këtu e as askund në botë”, ka thënë ai.
Nushi ka shtuar se efekti që ka dhënë qëndrimi i kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, brenda objektit të komunës, është vetëm amputimi i këmbëve të ushtarëve të KFOR-it.
“Lulzim Hetemin kur e kanë pyetur nëse e ka ditur se po shkon në komunë, ka thënë se nuk e ka ditur ku po e dërgojnë,. Kryetari i komunës është pushtet tjetër prej kryeministrit, janë pushtete të ndara, t’i tregojë kryeministri kryetarit të komunës se ku do të shkojë në punë është ndërhyrje flagrante, është cenim i Kushtetutës së vendit. Kryetari i komunës mund të mos dalë fare në punë dhe kryeministri nuk ka të drejtë t’i thotë asgjë. Ne kemi improvizuar me një tush brenda komunës së Leposaviqit, me një kuzhinë, në mënyrë që ai të qëndrojë me trenerka për gjashtë muaj, për çfarë efekti? Efekti i kësaj ka qenë amputimi i këmbëve të ushtarëve të KFOR-it nga bandat serbe në veri, e gjitha kjo me paralajmërim ndërkombëtar”, ka then ai.
Sopi: Vuçiqit i duhet Asociacioni, jo për të akomoduar serbët, por për të marrë veriun
Panelisti i emisionit “Konfront” në KTV, Agim Sopi ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po synon themelimin e Asociacionit me qëllim që të marrë veriun e Kosovës, “e jo për t’i akomoduar serbët”.
Ai ka deklaruar të enjten se Serbia ka dërguar mesazhe se krijimi i Asociacionit “është instrument për ndarje”.
“Interesat momentale të aleancave në një situatë të ridefinimit të botës është me rëndësi që aleatët e natyrshëm t’i mbash afër, e jo t’iu krijosh hendeqe që të ndihen të braktisur. Serbia po çon mesazh kristalor që insistimi në krijimin e Asociacionit nuk është thjeshtë mekanizëm për të drejtat e serbëve, por instrument për ndarje të Kosovës”, është shprehur Sopi./MitroLajm.com
Lini një koment