
Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, dhe ka thënë se pret lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.
DASH u bëri thirrje autoriteteve serbe të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në Serbi dje.
“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 18 prill.
Sipas autoriteteve kosovare, Serbia ndaloi mbi 1.400 kosovarë, teksa po kalonin transit nëpër Serbi.
Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë.
Autoritetet thanë se nëntë zyrtarë policorë janë liruar, ndërkaq ndaj Dejan Jankoviq, Serbia ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.
Sipas DASH, marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 2011 në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, “ofron parametra të qarta për hyrjen dhe daljen e qytetarëve kosovarë në dhe jashtë Serbisë”.
“Siç ka theksuar Bashkimi Evropian, vonesat si këto të fundit, përbëjnë shkelje të kësaj marrëveshjeje”, tha DASH./MitroLajme.com
Lini një koment