Kryetari i PDK-së kërkon që brenda disa ditësh të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Memli Krasniqi beson që këto ditë qartësohen shumë gjëra, pasi të hënën për këtë foli me kryeministrin Albin Kurti. Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj duan zgjedhje, por jo në këtë mënyrë; ata kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë. Presidentja aktualisht është në Danimarkë dhe s’është përfshirë në diskutimet publike për këtë. Vjosa Osmani duhet ta shpallë datën e zgjedhjeve të reja nëse Kuvendi shpërndahet.

Shpërndarja e Kuvendit është opsioni më i mundshëm dhe më i diskutueshmi së fundmi për të shkuar në zgjedhje të reja parlamentare. Nëse kjo ndodh, ligji përcakton se presidentja Vjosa Osmani duhet ta shpallë datën e re të zgjedhjeve brenda 10 ditësh dhe se ato nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe me vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

Shefja e shtetit ndërkohë po qëndron në Kopenhagë, kryeqytetin e Danimarkës, ku shkoi pas një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo nuk është përfshirë në diskutimet publike për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Por Osmani në janar ishte shprehur e gatshme që të diskutojë me partitë politike për këtë çështje, në qoftë se ato do të pajtoheshin.

“Ju e dini që zgjedhjet sipas afateve të rregullta duhet të mbahen në fillim të vitit 2025. Në qoftë se partitë politike kanë dakordim për t’i mbajtur ato më herët, janë disa opsione të cilat i lejon Kushtetuta e Kosovës. Një prej tyre është që Kuvendi të shpërndahet më herët, por për një gjë të tillë duhen 2/3 e votave, rrjedhimisht duhet një lloj pajtimi ose dakordimi ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike që janë në Kuvendin e Kosovës për një datë të mëhershme”, kishte deklaruar Osmani më 31 janar, kur gazetarët e kishin pyetur për mundësinë e zgjedhjeve.

“Tani nuk ndërhyj në proceset e tilla. Megjithatë, në qoftë se ka kërkesa nga partitë politike, dhe këtu po flas edhe nga mazhoranca, edhe nga opozita që t’i mbledhi të gjithë në mënyrë që të diskutohet një datë më e re, natyrisht që këtë e bëj, mirëpo nuk është asnjëherë punë e presidentes që të imponoj datë më të hershme sesa ajo që është e paraparë me Kushtetutë në proceset e rregullta”, pati thënë ajo.

Ajo kishte përmendur “tri metodat që mund të dërgojnë deri te zgjedhjet më të reja”, por theksonte se “asnjëra prej tyre nuk inicohen e as nuk bëhen të mundura nga presidentja e vendit, por nga partitë të cilat janë qoftë në qeveri, qoftë në opozitë”. 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës kërkoi “hapësirë për t’i konkretizuar hapat në ditët në vijim” për të shkuar para kohe në zgjedhjet parlamentare, pas një darke që e pati të hënën me kryeministrin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Të dy u pajtuan për opsionin e shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa Krasniqi tha se “është e domosdoshme që kjo të bëhet brenda muajit maj, sepse jashtë muajit maj, nuk ka më kuptim”.

“Në momentin që kalojmë pastaj në faza të mëvonshme, nuk mendoj që duhet.. Ka kuptim zgjedhjet e parakohshme në një periudhë që është 7-8 muaj para zgjedhjeve të rregullta, 3 muaj, 4 muaj para zgjedhjeve të rregullta s’ka asnjë kuptim”, tha ai para gazetarëve pas darkës me Kurtin.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk i shkuan kryeministrit në atë darkë. Ata duan zgjedhje, por për këtë kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë, gjë që nuk duket e mundur, pasi nga pushteti nuk është shprehur ndonjë gatishmëri për ta bërë këtë. Përveç këtij opsioni, ligji parasheh edhe mocionin e mosbesimit, por edhe ai duket i pamundur, meqenëse opozita s’i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë.

Diskutimi me Krasniqin për zgjedhjet, Kurti tha se është i interesuar “të vazhdojë edhe me të tjerët”, ndërsa përmendi marrëveshjet ndërkombëtare që kanë mbetur pa u miratuar në Kuvend dhe situatën e përgjithshme politike të shtetit, për të cilat tha se duhet “të diskutohet më shtruar, më gjatë e me gjithëpërfshirje sa më të madhe”.

Kurti tha se zgjedhjet janë “çështje të muajve”, ndërsa tha se “do të insistoj” që të takohet edhe me Abdixhikun e Haradinajn, pasi përsëriti se është i interesuar që të diskutojë edhe me partitë tjera opozitare “se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës”.

“Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota. Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka. Por njëkohësisht unë nuk do të preferoja që të shpërndahet Kuvendi edhe me dy parti, mbase edhe me tri parti. Pse të mos jemi që të gjithë bashkë. Është në natyrën e opozitës që të kërkojë zgjedhje, ndërkohë që unë jam në vitin e fundit të mandatit dhe qeverisja ime në këtë mandat nuk mund të zgjasë më shumë sesa disa muaj. Për mua nuk është thelbësore a do të qeverisi në këtë mandat edhe dhjetë muaj, tetë apo gjashtë muaj, apo tre muaj. Është e rëndësishme që të kemi një konsensus sa më të gjerë, të jemi sa më gjithëpërfshirës për muajin, datën e zgjedhjeve, e më pas debatin ta bëjmë politik e ideologjik për katër vitet e ardhshme”, tha Kurti.

Kryetari i PDK-së propozoi data konkrete të zgjedhjeve në takimin e së hënës me kryetarin e LVV-së. Tha se beson se “ka ende data të cilat janë në disa javët e ardhshme, që janë brenda kësaj kornize kohore” dhe se shpreson për “dakordësim edhe me partitë tjera parlamentare opozitare dhe ato të pozitës”.

Nesër është një seancë parlamentare dhe Krasniqi tha se shpreson se e radhës do të jetë për mocionin për shpërndarjen e Kuvendit.

“A do të ndodhë? Shohim ditëve në vijim. S’dua ta paragjykoj”, tha ai. “Unë preferoj që ta bëjmë bashkë si Kuvend. Mos të ndodhë askush me u ndje i lënë anash”.

Krasniqi tha se beson që “ditët në vijim qartësojmë shumë gjëra”.

Ka të paktën disa javë që vërehet angazhimi i shtuar i partive politike për t’u mobilizuar për zgjedhje të reja.

Nëse nuk do të ketë lëvizje për ndonjë prej këtyre tri opsioneve, zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen në fillim të vitit 2025.

/MitroLajm.com/

Lini një koment

Në modë