Në tetor të vitit të kaluar, Bashkia e Durrësit kishte ftuar administratën komunale e Komunës së Fushë Kosovës që t’i bashkangjitet festimeve në kuadër të festimeve të Pavarësisë. 116 zyrtarë të komunalë e kishin pranuar këtë ftesë dhe kishin shkuar në Durrës, por jo në nëntor për kur ishin ftuar, por në muajin tetor.

Për vizitën e tyre në Durrës, Komuna kishte paguar 14 mijë e 500 euro, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit. ZKA’ja thotë se nuk ka pranuar dëshmi se ditët e qëndrimit në Durrës korrespondojnë me qëllimin për të cilin ishin ftuar stafi i administratës komunale.

“Sipas ftesës për bashkëpunim të datës 16.10.2023 nga Bashkia e Durrësit, përkatësisht Drejtoria e Turizmit, ishte ftuar administrate komunale e Komunës së Fushë Kosovës t’ju bashkangjiten festimeve në kuadër të festës së Pavarësisë dhe Çlirimit të vendit në muajin Nëntor të vitit 2023.  Komuna kishte paguar 14,500 euro për vizitën e 116 zyrtarëve të administratës komunale në Durrës sipas ftesës, për nder të festave të Nëntorit. Përkundër që ftesa ishte bërë me qëllim të realizimit të vizitës kushtuar aktiviteteve për shënimin e festave të Pavarësisë dhe Çlirimit në Republikën e Shqipërisë dhe atë në muajin Nëntor, vizitën e njëjtë, komuna e kishte realizuar në datat 20.10.2023 deri 22.10.2023. Ne nuk kemi pranuar dëshmi se ditët e qëndrimit në Durrës korrespondojnë me qëllimin për të cilin ishin ftuar stafi i administratës komunale”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, kjo ka ndodhur si pasojë e funksionimit jo efektiv të kontrolleve.

“Shpenzimi i parasë publike jo në konsistencë me procedurat, ftesat e pranuara rritë rrezikun që mjetet e shpenzuara të mos shërbejnë për qëllime të miratuara publike. Kryetari duhet të sigurohet që shpenzimi i buxhetit të destinuar për vizita jashtë vendit të shfrytëzohet drejtë dhe për qëllimet specifike për çka edhe iniciohen procedurat”, rekomandon ZKA.

/MitroLajm.com/

Lini një koment

Në modë