
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe atë për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Këto dy ligje u miratuan në seancën e sotme.
“Përpjekjet e përseritura të këtij pushteti për kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë si dhe kontrollimin e mediave dhe të fjalës së lirë, e morën formën e vendimit me miratimin e dy ligjeve në seancën e sotme. Prandaj, sigurisht se do të shfrytëzojmë mekanizmat kushtetues për ti dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave në mënyrë që të sigurohemi për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Tahiri.
Për miratimin e Ligjit për KPM’në ka pasur shumë reagime. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se janë të shqetësuar me disa aspekte të ligjit që është miratuar sot.
OSBE ka thënë se pavarësisht se janë dhënë rekomandime nga ekspertë ndërkombëtarë në emër të Këshillit të Evropës, BE-së dhe OSBE-së për përafrim të ligjit me standardet, për fat të keq shumica s’janë marrë parasysh.
“Rekomandimet kryesore të ekspertëve të cilat nuk janë marrë parasysh kanë reflektuar shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit. Rekomandimet për rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore gjithashtu nuk janë marrë parasysh”, thuhet në reagim.
Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde ka thënë se nëse Kosova do të përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, atëherë çdo ligj të ri duhet ta bëjë plotësisht në përputhje me standardet e BE-së. Sipas Rohde, rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare janë injoruar.
“Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe nëse qeveria e Kosovës dëshiron të përshpejtojë rrugën e saj drejt BE, çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet e BE. BE, KiE dhe OSBE kanë dhënë opinionet e tyre për ligjet, por janë injoruar…”, ka shkruar ai.
Ricardo Gutierrez, sekretar i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve (EFJ) e ka quajtur ditë të zezë për lirinë e mediave këtë të enjte, pasi Kuvendi i Kosovës e miratoi këtë ligj, i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.
“Kosovë: Parlamenti sapo miratoi ligjin për media (Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave) pavarësisht këshillave nga KiE, BE, OSBE dhe EFJ për të mos bërë kështu. Sot është një ditë e zezë për Lirinë e Medias dhe Demokracinë në Kosovë. Partitë politike opozitare e bojkotuan seancën”, shkroi Gutierrez në “X”.
/MitroLajm.com/
Lini një koment