Kaçaniku tash e sa ditë është duke u ballafaquar me mungesë të ujit të pijshëm. Ankesat e qytetarëve janë të pafundme, teksa ankohen edhe për keqmenaxhim të ujit nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni”.

Zyrtari i degës së “Bifurkacionit”, për komunën e Kaçanikut, Mustafë Shehu i ka thënë Gazetës Express, se arsyeja e mungesës së ujit në këtë komunë ka qenë defekti në pompën e shtyrjes së ujit tek pjesa Kaçanik i vjetër.

Ai pohoi se defekte ka edhe në qytet, që për momentin janë duke u sanuar.

Tutje ai i tha gazetës se në momentin kur këto probleme të rregullohen, uji do të lëshohet.

“Tek pjesa Kaçanik i vjetër ka pasur defekt pompa e shtytjes së ujit. Tash është rregulluar edhe janë furnizuar mjaftueshëm me ujë. Janë edhe disa defekte të vogla në qytet por jemi në proces me i rregullu dhe momentin që rregullohen defektet, ka ujë”, tha ai.

Shehu poashtu tha se mungesë të ujit ka edhe nëpër burime të ujit, për shkak të thatësisë.

“Por është edhe thatësirë e madhe në këtë kohë dhe mungesa e ujit është edhe prej burimeve. Do ta bëjmë një zgjidhje të mundshme që sadopak me pas krejt ujë”, tha tutje ai.

Ndërkaq, dje në një reagim për media nga kompania Rajonale e Ujit “Bifurkacioni”, thanë se probleme me ujë ka edhe në vendet tjera që furnizohen nga kjo kompani.

Arsyeja sipas tyre është rritja e temperaturave dhe rënies së sasisë së ujit në burime.

“Të nderuar konsumator të Kompanisë “Bifurkacioni” ju njoftojmë se për shkak të zvogëlimit të burimeve të ujit, po përballemi me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm në disa pjesë të qytetit. Ky është një moment i vështirë për të gjithë ne dhe kërkojmë mirëkuptimin tuaj. Ne jemi duke punuar intensivisht për të minimizuar ndikimin e kësaj situate dhe po marrim masat e nevojshme për të siguruar që uji të shpërndahet në mënyrë të barabartë. Ju lutemi të përdorni ujin me kujdes dhe vetëm për nevojat më të domosdoshme”, thuhet në njoftimin e tyre të publikuar dje. 

/MitroLajm.com/

Lini një koment

Në modë